I dyshuari për krime lufte në Kosovë përballë dëshmive të fqinjit të tij

I dyshuari për krime lufte në Kosovë përballë dëshmive të fqinjit të tij

I dyshuar për krime lufte në Kosovë, në fshatin Sopi të Komunës së Suharekës (Therandës), Bogdan Mitroviq, i arrestuar ditë më parë, është duke u mbajtur në paraburgim.

Avokati i tij, Dejan Vasiq, ka thënë se klienti i tij është plotësisht i pafajshëm. Ndërkohë që një nga fqinjët e tij pretendon se është dëshmitar për veprat penale të Mitroviqit, që ndërlidhen me kime lufte gjatë vitit 1999.

Mitroviq ishte arrestuar më 28 gusht, përderisa me një grup të serbëve po vizitonin shtëpitë e tyre në Mushtisht të Komunës së Suharekës.

Gjykata Themelore e Prizrenit e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

I pandehuri Mitroviq, sipas Gjykatës Themelore në Prizren, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprat penale, krime lufte kundër popullsisë civile sepse, me datën 02 prill 1999, në fshatin Sopi, ishin vrarë 32 persona civilë të paarmatosur nga ana e forcave të armatosura serbe.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë informatë për personin me emrin, Mitroviq dhe implikimeve të tij në krime të luftës në Kosovë.

“Në momentin që është bërë publik lajmi se është arrestuar, ne kemi shikuar bazën e të dhënave nëse kemi diçka, por nuk figuron në asnjë nga dokumentacionet tona, as në deklaratat. As në dokumentacionet tjera të çfarëdo lloji, emri i tij nuk përmendet askund. Ne nuk kemi asnjë të dhënë për të, por nuk do të thotë se ai nuk është i përfshirë, pasi që ne nuk jemi Prokurori apo polici për t’i pasur të gjitha të dhënat e sakta”, ka thënë Blakaj.

Xheladin Sadikaj nga fshati Sopi, pretendon se është njëri nga dëshmitarët e veprave penale për krime luftë me të cilat dyshohet Bogdan Mitroviq.

Në një bisedë për Rel ai tha se Mitroviq duhet të përgjigjet për veprat që i ka kryer gjatë luftës kundër popullatës civile, kundër popullatës së pambrojtur të fshatit Sopi.

Sadikaj tha se Bogdan Mitroviq ka qenë një prej organizatorëve të masakrës së fshatit Sopi.

“Jo vetëm unë, por ka shumë e shumë dëshmitarë të tjerë që vërtetojnë fajësinë e tij. Ky është person i cili është identifikuar. Ai mund të bashkëveprojë me institucionet tona të sigurisë, me gjykatat dhe prokurorinë dhe të vë në shesh të gjithë ata personat të tjerë, pasi që një person i vetëm ka qenë e pamundur të bëjë 32 vrasje”.

“Ka dëshmitarë okularë, ka dëshmitarë të cilët e kanë parë, janë dokumentacionet të cilat janë gjetur pranë arkivave që i kanë lëshuar nga vendet përgjegjëse me organizim, me operativën që e kanë pasur dhe me kandidatët që duhet të eliminohen”, thotë Sadikaj.Ndërkohë, avokati i Mitroviqit, Dejan Vasiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se lënda e Mitroviqit është ende në fazën e hershme të hetimeve dhe se, sipas tij, ende nuk është përcaktuar pjesëmarrja e tij eventuale si pjesëmarrës (në vepër).

Leave a Reply

Your email address will not be published.