Bëhet i plotfuqishëm dënimi për Zeqirja Qazimin dhe grupin e tij

Bëhet i plotfuqishëm dënimi për Zeqirja Qazimin dhe grupin e tij

Gjykata Supreme ka vërtetuar fajësinë e Zeqirja Qazimit dhe të akuzuarve tjerë të rastit të tij, duke i refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të dënuarve Zeqirja Qazimi dhe të tjerëve.

KALLXO.com shkruan se ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që ka vendosur në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e mbrojtësve të Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani etj, duke hedhur poshtë pretendimet e avokatëve teksa refuzoi kërkesat si të pabazuara.

Gjykata Themelore në Ferizaj më 20 Maj 2016, i gjeti fajtor dhe i dënoi me 42 vjet burg shtatë persona nën akuzat për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik.

Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” në Gjilan u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Me Qazimin, për pjesëmarrje në grup terrorist akuzoheshin edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar me 8 vjet burg Ilir Berishën e me 7 vjet e 6 muaj burg Sadat Topojanin. Ilir Krraba ishte dënua me 5 vjet burg, Burim Ballazhi 4 vjet e 6 muaj, Jetmir Kyçyku 4 vjet dhe Liridon Kabashi 3 vjet.

Këto dënime u vërtetuan nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar ndërsa mbrojtja e pakënaqur ju drejtua Gjykatës Supreme të Kosovës me kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë.

Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të Zeqirja Qazimit, avokati Murat Demolli në kërkesën e vet pretendon se aktgjykimet e kundërshtuara janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas kërkesës, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i pakuptueshëm, kundërthënës me brendinë e tij dhe me arsyetimin e tij si dhe i bazuar në prova selektive.

Gjithmonë sipas pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mbrojtjes, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë paraqitur arsyet për faktet vendimtare ndërsa arsyet e dhëna janë kundërthënëse dhe të njëanshme. Po ashtu, aty thuhet se gjykata ka lejuar të dëgjohet si dëshmitar një hetues, lidhur me transkriptet e SMS-ve dhe ky dëshmitar ato i ka komentuar edhe pse nuk ka qenë ekspert.

Ndër të tjera në kërkesë pretendohet se Zeqirija Qazimi asnjëherë nuk ka shkëmbyer SMS me të bashkë akuzuarit apo me personat që kanë shkuar në Siri.

Në arsyetimin e saj Gjykata Supreme, thekson se duke i vlerësuar këto pretendime, vërejti se disa prej tyre që kanë të bëjnë me vërtetimin e drejt dhe të plotë të gjendjes faktike, sikur ajo për faktet se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i dënuari Zeqirija Qazimi ka kryer veprën penale, se nuk ka ekzistuar asnjë SMS për komunikimin eventual të tij me bashkë të akuzuarit apo personat që kanë shkuar në Siri, konstatoi se me këtë mjet të jashtëzakonshëm juridik, sipas Kodit tw procedurws Penale, nuk mund të atakohet vërtetimi i drejt dhe i plotë i gjendjes faktike ashtu që në këtë pjesë kërkesa nuk kishte baza.

Kjo gjykatë duke vlerësuar dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë sa i përket të dy veprave penale gjeti se i njëjti është i qartë dhe se përmban të gjitha të dhënat për kohën, vendin, mënyrën e kryerjes së veprave penale dhe të dhëna tjera që paraqesin elemente qenësore të veprave penale.

Aty më tutje sqarohet edhe se të dënuarit i vihet në barrë vepra penale rekrutimi për terrorizëm ngase ai në kohën kritike, si imam në xhaminë “El-Kuddus” në Gjilan ka mbajtur ligjërata në Kaçanik, Han të Elezit dhe në Viti ku ka folur për rëndësinë e xhihadit duke krahasuar “një orë luftimi me 30 vite ‘ibadet’, me ç‘rast ka potencuar se lufta e xhihadit në Siri është luftë e shenjtë etj”.

Andaj sipas kësaj gjykate, Qazimi është shpallur fajtor për veprime konkrete dhe përshkrimi i tyre në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë të njëjtin nuk e bënë të paqartë e as kundërthënës siç pretendohet në kërkesën e mbrojtjes.

Po ashtu Gjykata Supreme në arsyetim theksoi se në aktgjykimin e shkallës së parë edhe përmbajtja e provave tjera që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor janë të vlerësuara një nga një dhe në lidhshmëri me njëra tjetrën.

Gjykata Supreme hodhi poshtë edhe pretendimet e tjera për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale në aktgjykimin e shkallës së parë me arsyetimin se këto pretendime ashtu sikur ato të cekura më lartë janë të pabazuara.

Njwjtw sikur kërkesën e mbrojtjes së Zeqirija Qazimit, Gjykata Supreme hodhi poshtë edhe kërkesën me pretendimet e mbrojtjes për të dënuarit e tjerë Ilir Berisha, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi, e Sadat Topojanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.