Apeli e rrit në 17 vjet burgim dënimin për vrasjen e Zejnepe Berishës

Apeli e rrit në 17 vjet burgim dënimin për vrasjen e Zejnepe Berishës

Gjykata e Apelit ka rritur dënimin me burg në 17 vjet ndaj Nebi Berishës, për vrasjen mizore të bashkëshortes së tij, Zejnepe Berisha. Ngjarja kishte ndodhur më 23 tetor të vitit 2015, në shtëpinë e tyre, në Suharekë.
Berisha, që kishte goditur 20 herë me thikë gruan e tij, në prill të këtij viti ishte dënuar me vetëm 12 vite e 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Shqiptimi i këtij dënimi kishte nxitur reagime të mëdha, pasi vlerësohej i ulët, sidomos nga familjarët e të vrarës.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, në rastin e të akuzuarit N.B. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 12.04.2017, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Për veprat për të cilat është shpallur fajtor, “Vrasje e rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 i të njëjtit kod, kjo gjykatë, personin në fjalë e ka dënuar me 17 vjet burgim. Ankesa e mbrojtësit e të akuzuarit N. B., është refuzuar si e pa bazuar”, ka njoftuar të hënën Apeli.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, ka vërejtur se Gjykata e shkallës së parë në këtë çështje penalo- juridike, edhe pse drejtë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat i ka gjetur tek i akuzuari, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese “përgjegjësia esencialisht e zvogëluar”, të cilën e ka mbiçmuar, arsyetohet vendimi.

“Nuk janë vlerësuar po ashtu realisht, as rrethanat rënduese siç është mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari në prezencën edhe të të miturës e privon nga jeta, tani të ndjerën Z. B., dhe atë duke e goditur 20 (njëzetë) herë radhazi, në të gjitha pjesët e trupit, me këmbëngulësi dhe në mënyrë brutale. Rrethanë tjetër e cila nuk është vlerësuar si duhet është edhe motivi i kryerjes së veprës penale dhe sjellja e mëparshme e të akuzuarit ndaj familjes por edhe ndaj tani të ndjerës, pra para kryerjes së veprës penale. Nga e gjithë kjo rezulton se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë prej 12 vjet e 6 muaj është shumë i butë, prandaj edhe vendosi t’i shqiptoj një dënim më të rëndë”, thekson njoftimi i Gjykatës së Apelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.