Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë pohimet e italianëve se uji në Kosovë është kancerogjen

Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë pohimet e italianëve se uji në Kosovë është kancerogjen

Gazeta italiane “Il fatto quotidiano” gjatë ditës së djeshme ka botuar një tekst në të cilin shkruan se uji që e pimë është kacerogjen. Kjo e përditshme shkruan se kontingjenti italian me mision në Kosovë, të paktën deri më 2016 ka pirë ujë kancerogjen.

Mjeku ushtarak, Ennio Lettieri, thotë se “Uji i analizuar më 2015 përmbante bromat, kancerogjen i klasës 2B, në sasi prej 65/97 mikrogramë-litër”.

Ndërkohë, pavarësisht kësaj Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP), thotë se cilësia e ujit në Kosovë është brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pirje.

Zyrtarë nga IKShP, deklarojnë se ky Institut pas shkrimit të publikuar ku hidhen dyshime për cilësinë e ujit në Kosovë thotë se ka bërë analiza. “Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pirje, të bëra sot më 6 korrik 2017, të dhënat laboratorike për parametrat kimikë rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pirje, sipas Udhëzimit Administrativ 16/2012”, thuhet në njoftimin që IKShP u ka dërguar medieve.

E ndërkaq, nga kontingjenti i KFOR-it italian në Kosovë deklarojnë se kanë hequr nga përdorimi ujin natyror ‘DEA’.

“Mes pasojave të bromatit është edhe dëmtimi i veshkave. Ndoshta është koincidencë, por gjatë qëndrimit tim atje kishim rastin e një mareshali të karabinierëve me dëmtim veshkor akut”, ka thënë mjeku ushtarak, Ennio Lettieri, për të përditshmen italiane.

Ky është njoftimi i plotë i IKShP-së.

Në bazë të parametrave të analizuar, uji nga ujësjellësi është i pijshëm, brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pirje, UA 16/2012.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) i siguron qytetarët e Kosovës se ky Institut ka kontrolle të përhershme të cilësisë së ujit për pirje si nga sistemet qendrore të furnizimit, ashtu dhe uji i ambalazhuar dhe nuk ka vend për shqetësim.

Situata epidemiologjike është në kontroll të vazhdueshëm nga ekipet e Institutit Kombëtar.

IKSHPK do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pirje sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale, duke kërkuar nga organet relevante të avancojë dhe zgjerojë me prioritet spektrin e analizave laboratorike të ujit, ajrit dhe ushqimit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.