Kryeministri ‘’fsheh’’ kilometrat e kaluara me automjete zyrtare e udhëtimet me aeroplan

Kryeministri ‘’fsheh’’ kilometrat e kaluara me automjete zyrtare e udhëtimet me aeroplan

Kryeministri në largim Isa Mustafa, nuk shihet të ketë qenë fort respektues i ligjit. As institucioni që drejtohej nga Mustafa nuk i shpëtoi të gjeturave të auditorit.

Një varg shkeljesh janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Shpenzimet e udhëtimit që kanë realizuar zyrtarët brenda institucionit, nuk dihen saktësisht. Kjo pasi bazuar në të gjeturat e auditorit, nuk kanë pasur dëshmi të mjaftueshme.

Mangësi të tilla janë vërejtur gjatë udhëtimeve me aeroplan. Auditori ka testuar 9 pagesa për furnizim me bileta në vlerë prej 19 mijë e 947 euro, në të cilat kanë vërejtur se nuk ka dëshmi të mjaftueshme sa i përket çmimit të biletave në datën e rezervimit.

‘’…Në pesë (5) raste kopjet fizike të rezervimit të biletës nga sistemi AMADEUS nuk përmbanin ndonjë datë të caktuar. Ndërsa në katër (4) raste datat në kopjen fizike të rezervimit nuk përputheshin me datën e rezervimit të cekur në faturë. Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve jo të mira nga ZKM’’, bëhet e ditur në raportin e ZKA-së.

Në raste të tilla auditori ngrit dilemën se çmimet në fatura mund të jenë më të larta se çmimet e biletave në datën e rezervimit.

‘’Aprovimi i shpenzimeve për furnizim me bileta pa siguruar dëshmi të mjaftueshme rritë rrezikun që çmimet në faturë të jenë më të larta se çmimet e biletave në datën e rezervimit duke rezultuar me dëmtim të buxhetit’’, bëhet e ditur më tej.

Kjo nuk është shkelja e vetme në këtë institucion. Auditori ka gjetur se Zyra për Çështje të Komuniteteve ka subvencionuar një biznes në vlerën e 4 mijë e 500 eurove në komunën e Leposaviqit, i cili as nuk ishte i regjistruar në organet e Republikës së Kosovës.

Sipas auditorit kjo është në kundërshtim me programin e aprovuar për komunitete.

Në Zyrën e Kryeministrit as shpenzimet që janë bërë për automjete zytare nuk dihen. Auditori ka gjetur në dosjet e dy automjeteve, se nuk janë mbajtur evidenca që arsyetojnë shfrtytëzimin e tyre, për regjistrimin e kilometrave dhe shpenzimeve.

‘’UA 03/2008 për menaxhimin e automjeteve zyrtare kërkon që për secilin automjet zyrtar të mbahen evidenca lidhur me shfrytëzimin e tyre. Në dosjet e dy (2) automjeteve kemi vërejtur se nuk ishin mbajtur evidenca të rregullta që arsyetojnë shfrytëzimin e tyre, fletë udhëtimet apo dokumentet e nevojshme për regjistrimin e kilometrave dhe shpenzimeve të realizuara siç kërkohet me udhëzim administrativ’’

As shpenzimet e udhëtimit nuk janë regjistruar në kode adekuate. Auditori ka gjetur parregullësi edhe në këtë mes.

‘’Sipas planit kontabël shpenzimet për mëditje të udhëtimit duhet të regjistrohen në kodin 13141. Gjatë vitit 2016 shpenzimet për mëditje të udhëtimit në vlerë 97,689€ janë regjistruan në nën kodin jo adekuat 13140 si shpenzime tjera të udhëtimit zyrtar’’.

Këto janë vetëm disa prej shkeljeve të evidentuara në zyrën e kryeministrit . /Indeksonline

Leave a Reply

Your email address will not be published.