Ekonomia në Turqi papritur e shëndoshë?

Ekonomia në Turqi papritur e shëndoshë?

Megjithë krizën politike, Instituti Shtetëror i Statistikave dëshmon se ekonomia turke është në gjendje të mirë. Përfaqësuesi i ekonomisë gjermane në Stamboll është i ekzaltuar, por ekspertët mbeten skeptikë.
Pamje simbolike me flamuj turk dhe te BE

Me pesë përqind është rritur ekonomia turke në tremujorin e parë të vitit. Këtë e bëri të ditur në qershor Instituti Shtetëror i Statistikave, Turkstat. A ndodhet ekonomia turke në rrugën e rritjes? Gareth Jenkins ka rezerva për këtë. Eksperti për Turqinë i Institute for Security and Development Policy në Stamboll jeton që prej fundit të viteve 80 në Turqi. Ai ka përjetuar shumë ngjitje dhe tatëpjeta ekonomike.

“Dhjetorin e kaluar, Instituti Turk i Statistikave krejt papritur e ndryshoi mënyrën e përllogaritjes së të dhënave ekonomike. Me një të rënë të lapsit dhe ekonomia turke u paraqit në një gjendje shumë më të mirë, se sa e patën besuar atë të gjithë analistët dhe ekspertët. Ne ende nuk e kuptojmë se si i llogarit Turkstat këto statistika të reja”.

Në një vilë të vjetër të pajisur me elegancë buzë Bosforit e ka selinë Dhoma Gjermane për Tregtinë e Jashtme (AHK). Bojë e bardhë, oborr i madh, pamje nga Bosfori. Drejtori ekzekutiv Jan Nöther nuk mund të ankohet. Përballë Deutsche Welles Nöther e sheh në përgjithësi pozitive situatën ekonomike të vendit.

“Rritja ekonomike e tremujorit të parë të 2017-ës mbështetet në radhë të parë nga një rritje e madhe e eksporteve, të projekteve të infrastrukturës të mbështetura nga shteti dhe projekteve të tjera dhe nga konsumi i brendshëm”.

Por ja që statistikat mund të vlerësohen në mënyra të ndryshme. Gareth Jenkins vërtet që sheh një rritje të konsumit. Për ekspertin e zhvillimit kjo tendencë megjithatë është një flakë kashte.

“Qeveria ka marrë një sërë masash afatshkurtra. Për shembull ajo mori përsipër garanci për kreditë bankare. Kjo natyrisht në plan afatshkurtër i jep shtytje edhe konsumit. Por nga ana tjetër, në plan afatmesëm të gjitha këto masa afatshkurtra do të kenë një efekt shumë negativ. Për shembull, kur njerëzit të mos jenë në gjendje të paguajnë kredinë e tyre.”

Investimet e huaja – vendimtare për ekonominë turke

Pikërisht pika e fundit e vë në mendime Ege Yazganin. Profesori i shkencave ekononimike në mes të të pesëdhjetave jep mësim shkenca ekonomike në Bilgi Universitet, në njërin prej universiteteve private më të njohura të Turqisë.

“Kuotat e kursimeve në Turqi janë jashtëzakonisht të ulëta, dhe veç kësaj boshllëqe të mëdha në investime”. Por më shumë atë duket se e shqetëson imazhi i keq i vendit të tij, pikërisht në Evropë. Evropa është “tregu më i rëndësishëm i eksporteve për produktet turke dhe si treg produktesh ka një rëndësi të veçantë për Turqinë. Sepse Turqia është e varur urgjentisht nga investimet direkte të huaja”.

Janë pikërisht këto që mungojnë që prej një viti. Për shkak të përpjekjes për puç verën e kaluar, për shkak të arrestimeve masive të gazetarëve, opozitarëve, të dyshuarve si puçistë, për shumë firma të huaja situata politike është e paqendrueshme.

“Janë shumë pak ato investorë të huaj që interesohen për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por ata e vrasin mendjen për stabilitetin ekonomik dhe për sundimin e ligjit. Vitet e mira kanë kaluar dhe nuk do të kthehen për shumë kohë,” thotë Gareth Jenkins.

E pasigurtë ajo që vjen

Jo të gjithë e shohin gjendjen kështu. “Prej shumë dekadash, midis ekonomisë turke dhe asaj gjermane ekzistojnë lidhje të ngushta. Debati politik luan në këtë drejtim vetëm një rol të dorës së dytë”, thotë Jan Nöther i AHK në Stamboll.

Ekspertët janë të mendimeve të ndryshme për atë që vjen për Turqinë. Në një kohë kur Banka Botërore e korrigjoi duke e rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Turqisë, dëftesa që i nxjerr agjencia Moodys Turqisë është katastrofale. Besueshmëria e Turqisë për të marrë kredi, sipas Moody-t, që prej disa muajsh është në nivelin më të ulët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.