Salihaj: Deputetët e LDK-së e kanë pranuar propozimin tim për Demarkacionin, po e presim kryeministrin

Salihaj: Deputetët e LDK-së e kanë pranuar propozimin tim për Demarkacionin, po e presim kryeministrin

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjatë javës së parë të majit do të procedojë për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja më e përfolur dhe më e kundërshtuar deri më tani në Kosovë, pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit nga deputetët, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe një numri të deputetëve nga partitë në pushtet.

Por deputetët e partisë së Isa Mustafës që janë kundër kësaj Marrëveshjeje, së fundmi i kanë propozuar kryeministrit dhe shefit të partisë së tyre një propozim me anë të të cilit ata do ta votonin këtë marrëveshje ndërkombëtare.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka incuar këtë propozim te kryeministri Mustafa përmes së cilit ofrohet zgjidhje për dalje nga kriza.
Kontaktuar nga Express, Salihaj ai ka thënë se një numër i madh i deputetëve të LDK’së që e kanë kundërshtuar marrëveshjen e Demarkacionit, e kanë pranuar propozimin e tij.
Ai ka thënë se për këtë çështje ai ka diskutuar edhe me kryeministrin Mustafa.

“Nesër ose pasnesër do të dalim me një informatë rreth kësaj çështje. Tash për tash mund ta konfirmoj që ideja që unë e kam propozua është pranuar nga një numër i madh i deputetëve dhe e kemi diskutuar me kryeministrin”, ka thënë Salihaj.

E ndërkohë deputetët e LDK-së i kanë propozuar kryeministrit Mustafa që drafti për demarkacion që shkon në Kuvend, të përmbajë edhe një pikë të nenit që obligon Qeverinë e Kosovës që pas dy viteve ta rishqyrtojë një pjesë të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kulla e Zhlepit dhe Çakorri janë zonat kufitare që këta deputetë duan të rishqyrtohen, pasi pretendohet se në këtë pjesë Kosova ka humbur disa hektarë tokë, që kanë kaluar në pronësi të Malit të Zi, shkruan Gazeta Express.

Ratifikimi i marrëveshjes ishte tërhequr nga votimi në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar, pas tensionimit të gjendjes së sigurisë dhe mungesës së votave për ratifikim.

Procedimin sa më të shpejtë të demarkacionit në Kuvend e ka kërkuar së fundi edhe zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka gjasa se mund të vijë në Kosovë gjatë javës së ardhshme. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.