Rreziku i partive që të humbin deputetë

Rreziku i partive që të humbin deputetë

Ligji për zgjedhjet e thotë që deputetin e larguar e zëvendëson deputeti që ka më së shumti vota e që nuk ka arritur të hyjë në Kuvend. Nëse ndonjëri nga deputetët e koalicioneve e dorëzon mandatin për çfarëdo arsye, nuk ia garanton atë ulëse partisë së tij.
Partia Demokratike e Kosovës së bashku me 13 parti të tjera do të hyjë në garë për zgjedhjet e 11 qershorit. Në listën e Koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe parti tjera janë listuar 110 kandidatë. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën

Partia Demokratike e Kosovës së bashku me 13 parti të tjera do të hyjë në garë për zgjedhjet e 11 qershorit. Në listën e Koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe parti tjera janë listuar 110 kandidatë. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën.

Cilado prej këtyre koalicioneve që e formon qeverinë do të obligohen që në kabinetin qeveritar t’i emërojnë disa nga deputetet e zgjedhur, pasi koalicionet kanë futur në listat e kandidatëve nivelin më të lartë udhëheqës duke përfshirë edhe kandidatët për kryeministër.

E Ligji për Deputetët thotë se deputetëve u përfundon mandati në momentin e emërimit të tyre në poste qeveritare.

“Deputeti njëkohësisht nuk mund të jetë kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër ose zëvendësministër. Me rastin e emërimit të një deputeti në funksionet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni, mandati i tij përfundon në ditën e emërimit të tij si anëtar i qeverisë nga paragrafi 1 i këtij neni”, thuhet në nenin 6 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Garimi në një listë me disa parti të tjera do të krijojë situata të ndërrimit të numrit të deputeteve në mes të partive.

Kushdo që e liron vendin e deputetit, nuk ia garanton kolegut të partisë vendin, por ia garanton atij që ka vota më së shumti e që është në pritje, e që potencialisht mund të jetë nga partia tjetër.

Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë për Kallxo.com se asgjë nuk ndryshon edhe pse koalicioni është me parti të ndryshme, sepse ato garojnë si subjekt politik.

“Koalicioni është një subjekt politik dhe nëse ndonjëri nga deputetët e zgjedhur e dorëzon mandatin, ai zëvendësohet me deputetin e radhës”, tha Elezi.

Edhe Ligji për Zgjedhjet i Republikës së Kosovës e parasheh një diçka të tillë.

“Vendet e shpërndara ne përputhje me ketë ligj mbahen personalisht nga kandidatët e zgjedhur dhe jo nga subjekti politik”, thuhet në nenin 112 të Ligjit për Zgjedhje e që nënkupton se partitë politike nuk mund të vendosin se kë do e zëvendësojnë.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati tha se PDK-ja ka aq njerëz që i ka lënë jashtë listave, sa nuk do t’u duhet për të marrë njerëz të partisë nga Kuvendi për ta formuar qeverinë.

Edhe ai e pranon që kjo rregullohet me ligj dhe konfirmoj se nuk ka ndonjë marrëveshje mes partnerëve mbi këtë çështje, shkruan Kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.