Protestohet në Tiranë: Të mbrohen gratë e vajzat që punojnë në fabrikat e këpucëve e tekstileve

Protestohet në Tiranë: Të mbrohen gratë e vajzat që punojnë në fabrikat e këpucëve e tekstileve

1 Maj kujtohet në gjithë botën si dita ku punëtorët protestojnë për të drejtat e tyre, ndërsa në fakt në Shqipëri më së shumti shikohet si një festë që përkon me një ditë pushim si dhe me festime të ndryshëm.

Por duke mbrojtur kauzën e kësaj dite, sot në Tiranë pati edhe raste ku punëtorët po protestonin.  Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim i kërkon Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Inspektoriatit të Punës të mos lejojnë që gratë e vajzat që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve të punojnë sot në datën 1 Maj, në ditën ndërkombëtare të punëtorëve dhe në ditën kombëtare të pushimit.

Deklarata

Kemi të dhëna nga shumë qytete të Shqipërisë që sot në datë 1 Maj, u është kërkuar grave e vajzave të dalin në punë në fabrikat e këpucëve e tekstileve. Gratë e vajzat përbëjnë 95 % të punonjësve të këtyre bizneseve. Ato kanë të drejtën e tyre për pushim sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.

Ato në fakt kanë të drejtën e tyre të protestës në datë 1 Maj, për të gjitha problemet dhe padrejtësitë që sektori ku ato punojnë mbart. Shpresa e tyre e vetme janë sindikatat, të cilat pretendojnë që i përfaqësojnë, por që në fakt nuk bëjnë asgjë për të përmirësuar kushtet e punës apo pagesës së punonjëseve të këtij sektori. Sindikatat dështuan në mbrojtje të grave e vajzave, sepse të paktën nuk duhet të kishin lejuar që sot në një 1 Maj, të punohet. Puna në ditët e pushimit është një fakt tashmë në këtë sktore, dhe kjo punë nuk ka kurrëfarë ndryshimi në pagë sipas Kodit të Punës.  Sindikatat e kanë lënë në baltë këtë sektor duke lejuar abuzime dhe shkelje flagrante të tëdrejtave të njeriut.

Nga ana tjetër Qeveria Shqiptare me institucionet e saj të kontrollit dhe monitorimit ka dështuar të mbrojë të drejtat e grave e vajzave të sektorit të tekstileve e këpucëve për shkak të abuzimeve të shumta të deklaruara nga vetë punonjëset. Të gjitha kompanitë private shqiptare apo të huaja përveç të mirës që hapin vende pune në Shqipëri, duhet të mbahen të përgjegjshme për të treguar kujdesin e duhur për të siguruar kushte pune sipas Kodit të Punës, të paguajnë pagën minimale, të respektojnë kontratat e punës, të mos punësojnë të mitur e një sërë masash të tjera, që duhet të marrin në kuadër të zbatimit të standardeve ndërkombëtare ku aderojnë firmat e mëdha të cilat prodhojnë në Shqipëri, duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës e lehtësira të tjera fiskale të dhuruara nga shteti shqiptar në një paketë të posaçme.

Kerkesat per qeverine shqiptare 

– Të sigurojë që të gjithë punonjëset e sektorit të tekstileve e këpucëve të trajtohen me respekt e dinjitet.

-Në vendin e punës nuk duhet të ketë trajtim çnjerëzor, duke përfshirë ngacmimet seksuale, abuzimin seksual, ndëshkimin trupor, skllavërinë, presionin psikologjik apo fizik të punonjëseve.

– Në sektorin e tekstileve e këpucëve punonjëseve duhet t’u sigurohet një mjedis i sigurt e i mbrojtur nga rreziqe të ndryshme. Lëndimet në punë apo sëmundjet në punë duhet të raportohen dhe ndiqen me procedura dhe sisteme te miratuara.

-Procedurat për raste emergjence duhet të jetë funksionale dhe të mirëspjeguara për punonjësit. Këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë nuk duhet të jenë formale.

-Qeveria shqiptare mund të veprojë për të rregulluar gjithë padrejtësitë kundrej grave e vajzave që punojnë në këtë sektor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.