Hahn i drejtohet shqiptarëve, flet për të ardhmen e zgjedhjeve…i keqardhur!

Hahn i drejtohet shqiptarëve, flet për të ardhmen e zgjedhjeve…i keqardhur!

Komisioneri evropian Johannes Hahn i është drejtuar me një mesazh popullit shqiptar, ku shpreh shqetësimin për krizën politike që ka prekur vendin tonë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ai dënon thirrjet për pengimin e procesit zgjedhor të 18 qershorit.
Hahn kujton se gjatë javëve të fundit janë bërë përpjekje të shumta për të nxitur dialogun mes partive politike në Shqipëri, përpjekje si nga përfaqësues të BE-së ashtu edhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

“Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe qëndrimet e të gjitha palëve, duke u përpjekur për të lehtësuar një zgjidhje për daljen nga kriza. U ofruan disa propozime, me shpresën që partitë dhe liderët të merrnin përgjegjësitë e tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët”, shprehet Hahn.

Megjithatë, thotë Hahn, është duke ecur para procesi për zgjedhjet e 18 qershorit, të cilat do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Hahn i drejtohet shqiptarëve duke thënë se kjo ishte një zgjedhje e qëllimtë e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje.

“Mua më duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhje të thellë për këtë vendim nga pikëpamja e demokracisë. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë një ofertë të gjerë politike dhe plotësojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë prapa. Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare”, – thotë eurokomesioneri.

Hahn thotë se është thelbësore për vlerat europiane, që idetë dhe propozimet politike të diskutohen brenda institucioneve demokratike, sidomos në Parlament dhe shton se kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të të gjitha palëve në Shqipëri

“Në këtë këndvështrim, me lejoni të them një gjë: fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan, nuk është fitore për askënd; është një humbje për demokracinë”, shton Hahn.

Hahn dënon thirrjet për pengimin e procesit zgjedhor të 18 qershorit.

“Më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për “aksione” që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto “aksione” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, thotë Hahn.

Hahn është i qartë kur paralajmëron udhëheqësit politikë.

“Udhëheqësit që do të përpiqen të minojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan Hahn.

Deklarata në anglisht e Johannes Hahn

Deklarata e perkthyer ne shqip

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq,Ju drejtohem sot me një shqetësim të madh.

Gjatë javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë këtu mua vetë dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për krijimin e lehtësirave që do të çonin drejt një zgjidhjeje të krizës së vazhdueshme.

U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Për fat të keq, nuk kishim të bënim me një rast të tillë. Pra, sot jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa.

Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – kohët e fundit ka nisur aktivitetet e vëzhgimeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm që e mbështesim fuqishem ODIHR-in – por presim gjithashtu që të gjitha institucionet përkatëse në Shqipëri, të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë në misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE / ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë në menyrën më të mirë rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve.

Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për “veprime” që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo – të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, nga të gjitha anët.

Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.

Të dashur qytetarë,

Kam besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE.

Le të jemi të qartë:

Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Bashkimi Europian do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”

/Gazeta Exress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.