Edhe Milaim Zeka ia mësyn politikës, por has në pengesë banale

Edhe Milaim Zeka ia mësyn politikës, por has në pengesë banale

Sa më shumë që po afrohet 11 qershori, dita kur kosovarët do t’i hedhin votat e tyre, aq më shumë po rritet interesimi i pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe mediave, për të konkurruar në garën e ashpër politike. Një interesim të tillë e ka shfaqur edhe gazetari i njohur Milaim Zeka, ndonëse është shprehur i befasuar me rregullat që ka hasur.
Pas rrëzimit të Qeverisë e akuzave të partive qeverisëse ndaj njëra-tjetrës, bujë të madhe po bën inkuadrimi i gazetarëve në politikë, e sidomos atyre që kanë qenë shumë të zëshëm në profesionin e tyre. Njëri nga ta është Milaim Zeka, i cili po planifikon të kandidojë për deputet të pavarur, në zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor.

Zeka është njëri prej gazetarëve më të zëshëm në Kosovë. Një kohë të gjatë ai ishte cilësuar si i afërt me njerëzit e luftës, por viteve të fundit ai ishte njëri prej kritikëve më të ashpër të tyre.

Ai thotë se po e mendon seriozisht kandidimin e tij, si i pavarur, dhe zyrtarizimi i kësaj varet vetëm nga rregullat e Komisionit Qendror Zgjedhor për kandidatët e pavarur. Por, sipas KQZ-së, kandidatët e pavarur në momentin e certifikimit konsiderohen subjekte politike, me rregulla të njëjta për pragun zgjedhor, sikurse partitë politike.

Zeka thotë se do të kandidonte, jo për të fituar, por për të vetëdijesuar qytetarët për atë që servojnë partitë politike dhe programet e tyre.

“Në qoftë se futem në garë, mund të them për të vetmin qëllim që qytetarëve të Kosovës, pjesa dërrmuese e atyre, të cilët nuk dalin me votu, që s’kanë votu kurrë, por edhe këta që dalin e votojnë, me e kriju njëfarë shkalle të vetëdijesimit të qytetarëve në mënyrë që të dihet për kë të votohet, me i kuptu rrenat edhe premtimet boshe të partive politike. Ky do të ishte qëllimi im. A fitoj apo s’fitoj për mua ka pak rëndësi”, ka thënë Zeka për Gazetën Express.

Zeka në profilin e tij në “Facebook” i ka rreth 70 mijë miq dhe ndjekës. Ai është prej atyre gazetarëve që nuk kujdesen shumë për gjuhën e përdorur. Thënë më së buti, Zeka është shumë jokonvencional në fjalor, por kjo si duket e ka shndërruar atë në një personalitet të pëlqyer.

Të gjitha intervistat e tij, dhënë mediave të ndryshme televizive, shënojnë rekorde në “Youtube”, sa u përket ndjekjeve të tyre.

Zeka, i pyetur nga Express se ku mendon se do të kishte përkrahje, dhe se kush, sipas tij, do të ishte votuesi potencial, thotë se “popullariteti im është te gjeneratat e reja, te gjeneratat e studenteve dhe maturantëve. Aty është pikësynimi im”.

Ai ka thënë se ka ftesa nga partitë politike, dhe nëse do të vendoste ta pranonte ndonjërën prej atyre, atëherë ajo parti do të ishte opozitare.

“Kam ftesa. Po flas në mënyrë hipotetike, në qoftë se do i bashkohesha ndonjë partie politike, normal që do e përkrahja opozitën. Por, me çfarëdo partie politike që shkoj unë kisha me i zhgënjy simpatizantët e mi, fansat e mi. Sepse, kam qenë, dorën në zemër, kritik edhe shumë i madh ndaj opozitës dhe nuk du me vepru si shumë kolegë të mi, të cilët në fund të fundit përfunduan në parti politike”, ka bërë të ditur ai.

Zeka ka komentuar pritjet e qytetarëve dhe kritikat e tyre ndaj gazetarëve që po u bashkohen partive politike, duke thënë se nëse do t’i bashkohej ndonjë subjekti politik, do të ishte në kundërshtim me çdo gjë që ka shkruar deri më sot.

“Shumë ma shumë e preferoj humbjen e me dal i pavarur se sa fitoren e me iu bashku një partie politike. Nuk hyj në politikë me fitu diçka, por hyj në politikë me fitu qytetari i Kosovës. Qytetarët e Kosovës fitojnë me mua në qoftë se unë dal në fushatë edhe iu tregoj të vërtetën rreth partive politike edhe të vërtetën se qysh mund të ndërtohet një shtet. Këta nuk kanë pasur deri më sot kurrfarë koncepti të ndërtimit të shtetit”, thotë gazetari.

Në fund, gazetari bën të ditur se gjasat për kandidimin e tij janë shumë të mëdha. “Në qoftë se, në KQZ për me u bë deputet nevojiten 10 mijë vota si i pavarur, futem në politikë, në qoftë se pragu është pesë për qind, unë nuk jam parti politike… akoma nuk i di rregullat, por nëse është me 10 mijë vota, 90 për qind do të futem si kandidat i pavarur”, përfundon Zeka.

Mirëpo, edhe pse gazetari thotë se nuk është parti politike, që pragu zgjedhor të jetë pesë për qind, sipas rregullave të Komisionit Zgjedhor, kushtet e kandidimit janë të njëjta për partitë dhe kandidatët e pavarur.

Miradie Mavriqi, drejtuese e zyrës për subjektet politike në KQZ, për Gazetës Express, ka thënë se për kandidatët e pavarur vlejnë të njëjtat rregulla sikurse për subjektet politike, dhe pragu zgjedhor, sipas rregullores së KQZ-së, për të hyrë në Kuvend është pesë për qind.

“Me ligj kandidati, partia janë njëjtë. Njësoj janë. Subjekt politik është edhe kandidati në momentin që certifikohet, ai e ka emrin subjekt politik”, ka thënë Mavriqi. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.