Veliu thotë se Demarkacioni mund do të kalojë javën e ardhshme

Veliu thotë se Demarkacioni mund do të kalojë javën e ardhshme

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka theksuar se ka shenja se demarkacioni do të kalojë gjatë javës së ardhshme.

Sipas tij, shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, është duke e shqyrtuar kërkesën e deputetëve të LDK-së, të cilët kanë qenë kundër këtij versioni të demarkimit të kufirit, e të cilat kanë thënë se do ta votojnë shenjëzimin e vijës kufitare me fqinjin perëndimor, nëse drafti për demarkacion që shkon në Kuvend të përmbajë edhe një pikë të nenit që obligon Qeverinë e Kosovës që pas dy viteve ta rishqyrtojë një pjesë të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kulla e Zhlepit dhe Çakorri janë zonat kufitare që këta deputetë duan të rishqyrtohen, pasi pretendohet se në këtë pjesë Kosova ka humbur disa hektarë tokë, që kanë kaluar në pronësi të Malit të Zi.

Veliu ka thënë se Qeveria nuk duhet të prishet në rast se nuk kalon demarkacioni, sepse “kjo nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes në mes dy partnerëve që e kanë ndërtuar Qeverinë”.

“Qeveria është duke punuar dhe po i kryen punët dhe premtimet që i ka dhënë. Por, ajo që nuk po e kryen punën si duhet është Kuvendi i Kosovës. Në anën tjetër, e kemi një kusht të padrejtë që i është vënë Kosovës për ta marrë liberalizimin e vizave, sic është demarkacioni, e që ne duhet ta kryejmë sa më shpejt”, ka shtuar ai.

Ndryshe, marrëveshja më e përfolur dhe më e kundërshtuar deri më tani në Kosovë, pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit nga deputetët, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe një numri të deputetëve nga partitë në pushtet.

Procedimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend e ka konfirmuar për REL zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu. Ai ka thënë se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës i kanë kryer të gjitha obligimet, si në aspektin procedural ashtu edhe atë profesional, që çështja e Demarkacionit të procedohet në Kuvend.

Këshilltari politik i kryeministri Mustafa, Bajram Gecaj, ka deklaruar në media se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që të arrihen votat e nevojshme që sigurojnë kalimin e marrëveshjes.

Qeveria ka vendosur që pas tetë muajsh vonesë ta riprocedojë çështjen e shënjimit të kufirit me shtetin malazez në Kuvend. /Telegrafi/.

Leave a Reply

Your email address will not be published.