Simiq e quan mashtrues Jabllanoviqin, thotë se manipuloi me emrin e tij në KQZ

Simiq e quan mashtrues Jabllanoviqin, thotë se manipuloi me emrin e tij në KQZ

Ndryshimet e fundit brenda Listës Serbe sipas të cilave Aleksandër Jabllanoviq është riemëruar kryetar i kësaj Liste, nuk do t’i pranojnë deputetët dhe ministrat serbë në Kuvendin e Kosovës. Sipas kryetarit të deritanishëm Slavko Simiq, është i papranueshëm rikthimi i Jabllanoviqit në krye të këtij subjekti politik. Ai thotë se Jabllanoviqi manipuloi në KQZ me emrin e tij.

Kontaktuar nga Gazeta Express, Slavko Simiq ka thënë se Aleksandër Jabllanoviq e ka emëruar veten pa e pasur mbështetjen e deputetëve dhe ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës me arsyetim se ai është themeluesi i Listës Serbe në Kosovë. Madje ai thotë se Jabllanoviqi ka deklaruar në KQZ se e ka përkrahjen edhe të tijën për ta marrë timonin e këtij subjekti politik. Por një emërim i tillë është i papranueshëm për Listën Serbe. Ky subjekt sot gjatë ditës do ta dërgojë në KQZ dokumentin me nënshkrimet e deputetëve serbë ku thuhet se Slavko Simiq është në krye të këtij subjekti politik.

“Ne sot kemi mbajtur mbledhje bashkë me ministrat dhe deputetët e Listës Serbe dhe kemi nënshkruar dokument me të cilin e njoftojmë KQZ-në se Jabllanoviq nuk mund të jetë kryetari i saj. I vetmi që e përkrah Jabllanoviqin është Slobodan Petroviq. Dhe këta të dy e kanë të vetmin qëllim: financat e Listës Serbe dhe manipuluan me financat e Listës Serbe. Dokumentin të gjithë e kanë nënshkruar ku tregohet që unë jam i vetmi kryetar i Listës Serbe”, ka thënë Simiq për Gazetën Express.

Ai thotë se Jabllanoviq ka emëruar veten në krye të këtij subjekti pa pajtueshmërinë e deputetëve të Listës Serbe dhe pa vulën e këtij subjekti. Simiq deklaron se vula me të cilën është vulosur marrëveshja e koalicionit është tek ai. “… Jabllanoviqi ka shkuar në KQZ dhe e ka bërë kërkesën pa pajtimin e Listës Serbe dhe pa vulën e Listës Serbe. Vula me të cilën ne e kemi vulosur marrëveshjen e koalicionit qeverisës është tek unë dhe s’ka vulë tjetër”, ka thënë ai.

Tutje Simiq është shprehur se disa herë ka shkuar në KQZ për t’u interesuar se a mund ndonjë person tjetër të shpallet bartës i subjektit që ai ka drejtuar. Thotë se nuk e di se me përkrahjen e kujt është riemëruar në këtë pozitë Aleksandër Jabllanoviqi.

“Unë disa herë kam shkuar në KQZ të interesohem se a mundet dikush tjetër të paraqitet si bartës i Listës Serbe dhe ata kanë thënë që jo, kurse dje kur ka shkuar të pyesë KQZ-në, ka thënë që mundet dhe se i kanë thënë se Jabllanoviq ka thënë se e ka përkrahjen time, pra e ka manipuluar KQZ-në”, ka thënë ai.

Sipas tij, bashkë me Jabllanoviqin janë edhe dy persona tjerë që e kanë themeluar Listën Serbe.

Ndërkohë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, gjatë së hënës ka konfirmuar për Express se ka pranuar nga Aleksander Jabllanoviqidokumentin për ndryshimet e fundit brenda Listës Serbe, ku sipas këtyre ndryshimeve Jabllanoviq i kthehet pozitës së vjetër, duke u bërë kështu kryetar i këtij subjekti.

Daka ka sqaruar se institucioni ku ajo vepron nuk merret me atë se si janë bërë ndryshimet, por ata vetëm i pranojnë informatat për çfarëdo vendimi që e bën një subjekt politik. “Aleksander Jabllanoviq ka ardhur te KQZ-ja dhe e ka sjellë dokumentin me ndryshime. Ne nuk mund të konfirmojmë nëse ai është kryetar i ri ose jo pasi ne vetëm i pranojmë informatat për ato ndryshime. KQZ-ja si institucion nuk merret me çështjet e brendshme të iniciativave qytetare, dhe ne nuk kemi kompetencë të merremi me mosmarrëveshjet e tyre të brendshme”, ka thënë ajo

Ndryshe takimi i mbajtur të enjtën në mes të deputetëve dhe ministrave serb në Qeverinë e Kosovës për emërimin e Jabllanoviqitnë krye të këtij subjekti politik  ka filluar me tensione. Ishte Sllobodan Petroviq ai i cili ka sulmuar verbalisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviq. Ky i fundit nuk e kishte ftuar në takim Sllobodan Petroviqin.

“Kush je ti…, ti je turpi më i madh i popullit serb…”, ishin fjalët që Petroviqi ia drejtoi Stojanoviqit.Kurse Stojanoviqi i kërkoi Petroviqit që të lëshojë sallën dhe të dalë jashtë./GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.