SHISH dorëzon arkivën, çfarë ka ndodhur me dosjet e spiunëve

SHISH dorëzon arkivën, çfarë ka ndodhur me dosjet e spiunëve

Qeveria shqiptare, me një vendim të datës 15 shkurt, i cili ka hyrë në fuqi tetë ditë më vonë, zyrtarizoi nxjerrjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nga mjegulla shtatëdhjetëvjeçare, duke hedhur një dritë mbi anën e errët të regjimit komunist, e cila ka trazuar dhe trazon të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare, sidomos qarqet politike.

Në zbatim të këtij vendimi dhe afatit të parashikuar (prej 15 ditësh), Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe disa autoritete të tjera publike i kanë dorëzuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i quajtur ndryshe komisioni për hapjen e dosjeve, të gjithë materialin arkivor të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit nga data 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, shkruan Shqiptarja.com.

Për shkak se mjediset e autoritetit nuk janë përgatitur ende për të zhvendosur dosjet, autoriteti do të ketë akses në arkivat e institucioneve të lartpërmendura, për të mundësuar zbatimin e ligjit. Burime pranë komisionit thanë për Shqiptarja.com se, menjëherë pas marrjes së materialit arkivor, ka nisur puna me hapjen e dosjeve të para, për t’ju përgjigjur fluksit të kresave për informim mbi bashkëpunëtorët dhe të shënjestruarit e ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjatë hapjes së dosjeve të para, komisioni ka konstatuar dëmtime të dosjeve, por kryesisht ndërhyrjet konsistojnë në fshirjen e emrave të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Anëtarë të autoritetit thanë për Shqiptarja.com se, përpos zhdukjes së disa dosjeve në tërësi, në dosje të tjera të ‘nxehta’ ka pasur ndërhyrje të pjesshme, duke fshirë emrat e bashkëpunëtorëve.

Në kushtet kur bashkëpunëtorët e nivelit të ulët e kanë patur pothuajse të pamundur për të depërtuar në materialin arkivor, qoftë edhe gjatë trazirave të vitit ’97 dhe alternimeve të pushteteve, dyshimet orientohen drejt njerëzve me pushtet, të cilët kanë dominuar politikën shqiptare gjatë trajektores së pluralizmit. Dyshimet për ndërhyrjen e njerëzve të politikës, në kohë të ndryshme, për të fshirë gjurmët e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit shtohen nëse i referohemi përmbajtjes së kërkesave për informim dhe rëndësisë së dosjeve të dëmtuara.

Nga ana tjetër, për njerëzit e politikës qarkullojnë qindra pseudonime si ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, pseudonime të cilat janë konfirmuar nga ish-drejtues të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe njerëz që kanë pasur akses në dosjet e Sigurimit.

Lëvizja e komisionit

Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do t’u drejtohet organeve përkatëse për të zbuluar emrat e bashkëpunëtorëve të fshirë nga dosjet e Sigurimit. Nisur nga zhvillimet teknologjike dhe nga sistemi me të cilin operonte Sigurimit i Shtetit, ku një emër në një dosje, figuron edhe në disa dosje të tjera, komisioni mund të identifikojë edhe këtë kategori bashkëpunëtorësh. Sipas ekspertëve, vetë mënyra e regjistrimit është ndërtuar e tillë, që shmang maksimalisht probabilitetin e zhdukjes së gjurmëve të bashkëpunimit. Madje, sipas tyre, fshehja e një gjurme, në vetvete lë të tjera gjurmë. Këtu nuk bëhet fjalë për dosjet e zhdukura në tërësi me komision apo edhe gjatë trazirave. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia e vënies në lëvizje edhe të organeve hetimore, për identifikimin e personave përgjegjës për ndërhyrjet e paligjshme në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Zhdukja e dosjeve të UDB

Një ish-punonjës i SHIK-ut, i punësuar më pas në ambasadën shqiptare në Belgjikë, me lidhje të forta me Partinë Demokratike, ka rrëmbyer dhe zhdukur dosjet e politikanëve dhe pushtetarëve shqiptarë, bashkëpunëtor të UDB së ish-Jugosllavisë dhe të agjenturave të tjera. Dëshmia ka ardhur nga Viron Bezhani, biri i Nazif Bezhanit, kryetarit të komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit. Kohë më parë, për Shqiptarja.com Bezhani ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike. Siç dihet, SHIK-u i atëhershëm ka qenë një kamxhik në duart e Sali Berishës. “Janë zhdukur në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Personi ka qenë punonjës i Shërbimit Informativ Kombëtar. Kur nisi punën komisioni, u kërkua dokumentacioni. U mblodh i gjithë SHIK-u për të kërkuar disqet. Punonjësi u arratis. Më pas është punësuar në ambasadën shqiptare në Bruksel. Sa i takon datës, duhet të shikoj dokumentet, për të qenë i saktë. Por, disqet janë zhdukur gjatë kohës së qeverisjes së PD. Di që babai ka bërë një denoncim në prokurori për vjedhjen disketave, të cilat janë shitur dhe personi i dyshuar për grabitje është larguar nga Shqipëria menjëherë pas zhdukjes së disketave dhe jeton, me sa mbaj mend, në Belgjikë”, ka theksuar ai. Sipas tij, informacionet ishin për politikanë. “Nga 73 disqe që janë vjedhur, 56 kanë qenë me informacione që përfshinin politikanë dhe pushtetarë të lartë si agjentë të shërbimeve të huaja. Përveç disqeve, janë zhdukur dhe dosje me informacione të shërbimit sekret, njëkohësisht është vjedhur dhe truri i skeduar i arkivës së SHIK dhe listat e me emrat e bashkëpunëtorëve të UDB në Shqipëri. Vjedhja e tyre u zbulua në pranverën e vitit ’97”, ka deklaruar Bezhani.

Ndërhyrja e politikës

Në kushtet kur bashkëpunëtorët e thjeshtë e kanë patur pothuajse të pamundur për të depërtuar në materialin arkivor, qoftë edhe gjatë trazirave të vitit ’97, dyshimet orientohen drejt njerëzve me pushtet, të cilët kanë dominuar politikën shqiptare.

Lëvizjet

Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do t’u drejtohet organeve përkatëse për të zbuluar emrat e bashkëpunëtorëve të fshirë nga dosjet e Sigurimit.

400 mijë bashkëpunëtorë

Sigurimi i Shtetit ka pasur 1 mijë e 400 punonjës dhe rreth 400 mijë bashkëpunëtorë të nivele të ndryshme, gjatë gjithë periudhës së funksionit të tij. Një pjesë e bashkëpunëtorëve nuk jetojnë më, por shumica e tyre jo vetëm jetojnë, por kanë një perceptim të fortë se janë pjesë e Parlamentit dhe e institucioneve më të larta të shtetit. Gjatë viteve të fundit, kanë qarkulluar shumë pseudonime spiunësh, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë, madje edhe vetë ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe një listë prej qindra emrash. Të akuzuarit gjithnjë kanë mohuar bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, ndërsa disa prej tyre kanë paraqitur edhe kartelat e pastërtisë, të lëshuara nga komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”. Gjithsesi, tentativa e tretë për të hapur dosjet, pavarësisht masave dhe filtrave që parashikon ligji, pritet të prodhojë surpriza dhe të provokojë një debat të madh publik.

Disa prej pseudonimeve të politikanëve, spiunë të Sigurimit   1. Medicina 2. Penicilina 3. Qukapiku 4. Inxhinieri 5. Çiftelia 6.  Çorapja 7. Qepa 8.  Kodrina 9.   Dizenjatorja 10.  Financieri 11.  Drita 12.  Stilografi 13.  I Vogli 14.  Alfons Ballshi 15.  Raketa 16.  Profesori 17.  Shkrimtari 18.  Dragoi 19.  Cigarja 20.  Livadhi 21.  Dëbora e re 22.  Furtuna 23.  Luftëtari 24.  Snajperi 25.  Proletari 26.  Intelektuali 27.  Sqepi 28.  Doku 29.  Bozhuri 30.  Plepi 31.  Parafabrikati 32.  Kitara 33.  Ushtari 34.  Gjeli 35.  Grepi 36.  Shishja e qumështit 37.  Serbi 38.  Çiklisti 39.  Fryma 40.  Vesa 41.  Greku 42.  Malësori 43.  Tigri 44.  Vinçi 45.  Sapuni 46.  Diplomati 47.  Poeti 48.  Urithi 49.  Pëllumbi 50.  Stuhia 51.  Kastor 52.  Ekspertja 53.  Oxhaku 54.  Bredhi 55.  Iriqi 56.  Komshiu 57.  Osumi 58.  Komandanti 59.  Vigjilenti 60.  Trimi 61.  Kalaja 62.  Fshatari 63.  Rruga 64.  Magazinieri 65.  Nata 66.  Dallga 67.  Kominoshja 68.  Dallga 69.  Piktori 70.  Xhuxhi 71.  Trëndafili 72.  Masoviku 73.  Shkrepësja 74.  Llulla 75.  Fyelli 76.  Arkitekti 77.  Aktori 78.  Torno 79.  Kaçavida 80.  Shkodrani 81.  Kosovari 82.  Kapteri 83.  Agronomi 84.  Zootekniku 85.  Memeci 86.  Koromania 87.  Doktori 88.  Qershia 89.  Daja 90.  Fryti 91.  Demoni 92.  Bërthama 93.  Kali Shalës 94.  Poli Veriut 95.  Bjeshka 96.  Sandalja 97.  Lisi 98.  Fonogrami 99.  Kronometri 100. Valltarja 101. Dirigjenti 102. Pashtriku 103. Vesa 104. Snajperi 105. Sykuqi 106. Përparësja 107. Pela Egër 108. Bjeshka 109. Giza

Leave a Reply

Your email address will not be published.