Mocioni për rrëzimin e Qeverisë i bën mirë popullit, thotë deputetja e AAK’së

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë i bën mirë popullit, thotë deputetja e AAK’së

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se mocioni për votëbesim të qeverisë i bën mirë popullit të Kosovës.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se qeverisja aktuale është në gjendje të mjerueshme dhe pas shumë dështimeve më mirë është rrëzimi i saj dhe çuarja e vendit në zgjedhje.

“Nëse bëjmë përmbledhje të punës së qeverisë shohim se ajo ka bërë veprime të papërgjegjshme dhe është qeveri jollogaridhënëse. Këtë e shohim më së miri në seancat e Kuvendit ku përballja e ministrave me deputetë është e rrallë. Kemi gjendje të keqe në shëndetësi, arsim e zhvillim ekonomik. Jemi në kaos institucional dhe e mira është të shkohet në zgjedhje që të krijohet qeveri e re që i përgjigjet popullit”, ka thënë ajo.

Kadrijaj ka thënë se janë duke lobuar te secili deputet i partive në pushtet dhe atyre të minoriteteve për të siguruar nënshkrimet e mjaftueshme për të çuar në seancë votimin për rrëzim të qeverisë.

“Do të lobojmë te secili deputet në mënyrë që të arrijmë 40 nënshkrime dhe më pas të kemi 61 vota për rrëzim të qeverisë. Nuk kemi rezultat me këtë qeverisje, kemi dështime në çdo sferë. Ky mocion i bën mirë popullit. I shërben popullit që të vendosë se kush do të qeverisë vendin në mandatin e ardhshëm”, ka shtuar më tej ajo.

Kadrijaj ka mbrojtur deputetin tjetër të AAK-së, Daut Haradinajn, për deklaratat e tij se nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi, mund të ketë luftë. Ajo thotë se deklaratat e tij janë keqinterpretuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.