Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Zgjedhjet e parakohshme nacionale konsiderohen të jenë të pashmangshme, kjo pas dështimit të koalicionit qeverisës për t’i çuar përpara proceset e mëdha, siç është Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila ishte arritur në gushtin e vitit 2015, por ende nuk është ratifikuar në Kuvend.

Përderisa përfaqësues të PDK-së, partnerit të koalicionit qeverisës, shprehen të gatshëm për zgjedhje, përfaqësues të ekzekutivit (nga LDK-ja) thonë se vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse dy partnerët e koalicionit PDK-LDK arrijnë kompromis për një çështje të tillë.

Nga ana tjetër, partitë opozitare konsiderojnë se Qeveria aktuale nuk do të mundë ta përfundojë mandatin e saj. Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Përfaqësuesit e partive politike në vend tash e sa kohë kanë nisur fushatën elektorale, duke organizuar takime të shumta me qytetarët e të gjitha kategorive. E analistët këto veprime i shohin si sinjal që tregon se zgjedhjet nuk janë tashmë vetëm opsion, por domosdoshmëri.

Gecaj: Zgjedhje, vetëm nëse koalicioni merret vesh mes vete

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër i pushtetit lokal, ka thënë se zgjedhje mund të ketë vetëm nëse koalicioni merret vesh mes vete. “Demarkacioni si i tillë nuk do të duhej ta dërgonte vendin në zgjedhje, pos nëse për këtë vendosin partnerët me marrëveshje ose nëse njëri nga partnerët kryesorë vendos që këtë çështje ta përdorë si pretekst për zgjedhje”, ka deklaruar Gecaj.

Për dallim prej tij deputeti i PDK-së, Shukri Buja, është shprehur optimist se zgjedhje do të ketë në maj ose në qershor. “Kam insistuar që nga tetori të mbajmë zgjedhje të parakohshme për t’i zhbllokuar proceset për ecjen përpara të shtetit dhe kohën më të përshtatshme. E kam theksuar në vazhdimësi fundin e majit apo fillimqershorin dhe shpresoj të ndodhë kështu”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Buja më tej ka thënë se PDK-ja është e përgatitur që t’i fitojë zgjedhjet kurdo që mbahen ato.

Opozita: S’ka zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve

Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se aktualisht nuk ka mbetur ndonjë zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve. “Në këtë krizë institucionale s’ka mbetur zgjidhje tjetër. Vendi s’po ecën përpara në asnjë drejtim, kemi ngecje. Andaj, Qeveria duhet të reflektojë që mandatin t’ia kthejë qytetarit. Ne po presim kompletimin e nënshkrimeve dhe ta procedojmë në Kuvend nismën për shkarkimin e Qeverisë”, ka deklaruar ajo. Më tej Kadriaj është shprehur optimiste se do të arrihet një konsensus për të shkuar drejt zgjedhjeve.

Kurse deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, është shprehur optimist se mocioni për rrëzimin e Qeverisë do të gjejë mbështetje të mjaftueshme te deputetët e Kuvendit. “Sa i përket mocionit, presim përkrahjen e mjaftueshme të deputetëve për ta votuar si e vetmja rrugë për të dalë nga bllokimi institucional i Kosovës, si pasojë e një Qeverie të papërgjegjshme”, ka deklaruar Hoti.

Ajeti: Veprimet e liderëve po tregojnë se zgjedhjet po shihen si domosdoshmëri

Kurse Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka vlerësuar se që nga paslufta asnjë qeveri nuk ka arritur ta çojë mandatin deri në fund. Sipas tij, edhe Qeveria aktuale duket se do ta ketë fatin e njëjtë.

“Që nga paslufta asnjë legjislaturë dhe qeveri nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e tij në kohën e përcaktuar prej 4 vjetëve. Jetëgjatësia e një legjislature dhe rrjedhimisht e qeverive është mesatarisht 2.5 vjet. Kjo ‘praktikë’ e mbrapshtë duket se do ta përcjellë edhe qeverinë ‘Mustafa’. Kjo së paku nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të partive në pushtet, të cilët tanimë zgjedhjet nuk po i shohin më si diçka të pamundur.

Edhe nga veprimet e liderëve të PDK-së dhe të LDK-së, që më shumë po u ngjasojnë fushatave politike sesa informimi për hallet e qytetarëve, po jep sinjalin se zgjedhjet më nuk po shihen si opsion, por si domosdoshmëri”, ka deklaruar Ajeti për “Zërin”. Ai më tej ka thënë se moskoordinimi i partnerëve të koalicionit qeverisës ka bërë që proceset e mëdha të mbesin peng tash e sa vite. “Koalicioni aktual PDK-LDK-Lista Serbe-Grupi 6+, pavarësisht që mbajnë 2/3 e ulëseve në Kuvend, shumicë kjo më se e mjaftueshme për të shtyrë përpara çdo proces politik, për shkak të interesave shpesh të kundërta të partnerëve të koalicionit, moskoordinimit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së me Listën Serbe, LDK-së dhe PDK-së ndërmjet vete, si dhe gatishmëria e vonshme e treguar e Qeverisë për t’i diskutuar gjërat me opozitën, po bën që vendimet e mëdha të mbesin peng tani e dy vjet”, ka potencuar ai.

Murati: Opsioni i zgjedhjeve nuk përjashtohet assesi

Ndërkaq Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka  vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare assesi nuk mund të përjashtohen si opsion. Kemi parë tashmë një mobilizim të shtuar të partive politike dhe liderëve të tyre dhe kjo gjithsesi e vërteton edhe hipotezën për zgjedhje të mundshme parlamentare brenda këtij viti”, ka deklaruar ai. Sipas Muratit, mocioni i opozitës për ta rrëzuar Qeverinë mund të ketë sukses vetëm nëse përkrahet edhe nga partitë në pushtet.

Ndërkohë Haki Abazi, nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit  është bërë pika e dobët e Qeverisë aktuale. “Çështja e demarkacionit është bërë thembra e Akilit. Në fakt nuk është vetëm demarkacioni, ka shumë faktorë që kanë sjellë në situatën në të cilin gjendet vendi, por mbi të gjitha shtetformimi është peng i interesave politike dhe ekonomike të një grushti njerëzish që për ta siguruar fuqinë e  tyre politike dhe sistemin e patronazhit politik janë duke e sabotuar dhe kërcënuar sistemin institucional dhe vetë funksionimin e shtetit”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.