Blerim Reka: Të votohet shpejt Qeveria e re e Maqedonisë, shqiptarët t’i shmangen dhunës

Blerim Reka: Të votohet shpejt Qeveria e re e Maqedonisë, shqiptarët t’i shmangen dhunës

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka, ka thënë se pas zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit maqedonas, duhet votuar Qeveria e re. Në një intervistë për Express, profesori i mardhënieve ndërkombëtare ka thënë se partitë shqiptare duhet t’i shmangen dhunës në rrugë.
Profesori Reka konsideron se para zgjedhjeve të reja në Maqedoni duhet të ketë drejtësi të shpejtë dhe formim të Qeverisë.

Beson se edhe zyrtari i Administratës së Trump që do të shkojë të dielën në Shkup do të japë mesazh për formimin e shpejt të Qeverisë së re.

Express: Sipas jush, cila është zgjidhja pas shpërthimit të dhunës në Kuvendin e Maqedonisë ku u votua për Kryetar të Parlamentit, Talat Xhaferi?

Blerim Reka: Tashmë Maqedonia e ka një Kryetar të Kuvendit të votuar nga shumica parlamentare dhe të njohur nga SHBA dhe BE. Si rrjedhojë, hapi tjetër është votimi i Qeverisë së re.

Express: Si duhet të sillen partitë politike shqiptare në këtë situatë?
Blerim Reka: Partitë shqiptare duhet të ndjekin rrugën institucionale tash në Kuvend të konstituuar dhe t’i shmangen provokimeve të rrugës. Duhet ta votojnë sa më shpejt Qeverinë e re.

Express: Cilat janë pritjet e juaja lidhur me zgjidhjen e kësaj situate, do të thellohet kriza, do të ketë formim të Qeverisë së re me Zaev Kryeministër, apo zgjedhje të reja?
Blerim Reka: Nuk ka rrugë tjetër pos asaj demokratike: shumica parlamentare që ka fituar zgjedhjet të formojë Qeverinë. Pres që këtë mesazh ta japë nesër në Shkup Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit,Hoyt Yee. Vetëm kështu mbyllet kriza dyvjeçare si dhe beteja midis zgjedhjeve të shpejta dhe drejtësisë së ngadalshme. Fakti që asnjëri nga 11 rastet e hetuara nga Prokuroria Speciale nuk u procedua në Gjykatë flet më së miri se kujt i konvenon zgjatja e mëtejme e krizës pa institucione legjitime. Besoj se Maqedonia nuk do të jetë më ajo e 25 viteve të kaluara. Modeli i keqqeverisjes si kopje e Milloshevicit dhe dhjetë vite më parë pas pavarësimit dhe ky i putinizmit i dhjetë viteve të fundit nuk mund të funksionojë më. Në rrafshin etnik pres që më në fund Maqedonia, kjo shoqëri multi etnike të funksionojë si shtet multi etnik.

Vetëm kështu mbyllet kriza dyvjeçare si dhe beteja midis zgjedhjeve të shpejta dhe drejtësisë së ngadalshme. Fakti që asnjëri nga 11 rastet e hetuara nga Prokuroria Speciale nuk u procedua në Gjykatë flet më së miri se kujt i konvenon zgjatja e mëtejme e krizës pa institucione legjitime

Leave a Reply

Your email address will not be published.