‘Zhdukja’ e kanabisit/ Plani i qeverisë, si do financohen punëtorët e hashashit

‘Zhdukja’ e kanabisit/ Plani i qeverisë, si do financohen punëtorët e hashashit

Tre vjet pas ndërhyrjes në Lazarat, qeveria shqiptare ka finalizuar një plan të ri, i cili përmban tërësinë e masave, koordinimeve ndërinstitucionale, hapave dhe veprimeve për asgjësimin e të gjitha plantacioneve të kanabisit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

kanabis mat

Shqiptarja.com zbardh planin e veprimit anti-kanabis 2017-2020, një dokument prej 60 faqesh, i cili nis me një analizë të thelluar të situatës, ndërsa vijon me parashtrimin e masave radikale për goditjen dhe çrrënjosjen e fenomenit.

Për herë të parë, përpos policisë dhe prokurorisë, plani anti-kanabis parashikon angazhimin e ushtrisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, strukturave doganore, strukturave tatimore, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, policinë pyjore, disa prej ministrive të linjës, pushtetin vendor etj., në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.Dokumenti u jep një rëndësi të veçantë edhe mediave tradicionale dhe bashkëkohore në luftën anti-kanabis, për ndërgjegjësimin e shoqërisë si dhe për të përcjellë informacionin tek të rinjtë, me qëllim mbajtjen e tyre larg kultivimit, trafikimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Ndërkaq, masat kundër kanabisit konsistojnë në goditjen e financave të grupeve kriminale, kontrollin e territorit, krijimin e hartave të sipërfaqeve të tokave, forcimin e kontrollit kufitar, bashkëpunimin e hershëm të shërbimeve inteligjente etj.

3.1.  Goditja dhe reduktimi i kultivimit
Goditja dhe reduktimi i prodhimit konsiderohet si objektivi i parë që duhet arritur. Përmbushja e këtij objektivi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmbushjen e objektivave të tjerë.

Në planin afatshkurtër, synohet që, duke filluar nga gjysma e parë e vitit 2017, të parandalohet dhe të shkatërrohet cikli i kultivimit që në fillesën e tij, duke mbajtur në kontroll të rreptë të gjithë elementët e tij si: aktivizimi i burimeve financiare, rekrutimi i fuqisë punëtore, sigurimi i farërave dhe fidanëve, hapja apo punimi i tokave, ndërtimi i impianteve të ujitjes, etj..

Realizmi i këtij objektivi do të kryhet me një kombinim masash, të cilat prekin të gjithë ciklin e kultivimit, të përdorimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.

Në fazën e parë të ciklit, synohet që të mbahet nën monitorim të fortë dhe të goditet me efikasitet të lartë procesi i sigurimit të farërave si dhe i prodhimit të fidanëve. Pavarësisht se në këtë fazë fenomeni është i vështirë të zbulohet, ai është shumë i lehtë për t’u goditur.

Kultivimi fillestar i fidanëve në mjedise të mbyllura dhe në sipërfaqe të vogla, konsiderohet një fazë, gjatë së cilës sigurimi i informacionit është shumë i rëndësishëm.

Strukturat e shërbimeve të inteligjencës, të luftës kundër krimit, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FA), të bujqësisë, të pyjeve, të doganave, të tatimeve, si dhe ato të pushtetit vendor dhe veçanërisht qytetarët, do të luajnë rol të rëndësishëm për sigurimin e informacionit të nevojshëm për goditjen e veprimtarisë kriminale.

Plani i Veprimit orienton që i gjithë reagimi institucional të përqendrohet në këtë fazë, pasi goditja e hershme e dukurisë, siguron rezultate të dukshme dhe të shpejta, duke parandaluar përhapjen e tij në territorin e vendit.

Një qasje e tillë kursen edhe energjitë e mëdha që kërkohen për të goditur fenomenin kur ai ka dalë nga mjediset e mbyllura dhe sipërfaqet e vogla dhe është përhapur në zona të thella.

Goditja e hershme parandalon, gjithashtu, kriminalizimin e qytetarëve që përfshihen në procesin e kultivimit në sipërfaqe të hapura.

Objektiva specifike për goditjen e kultivimit janë:
1.  Goditja e financave të grupeve kriminale duke shenjëstruar, verifikuar, hetuar, sekuestruar dhe konfiskuar pasuritë dhe asetet e krijuara nga aktiviteti kriminal, duke u mbështetur veçanërisht në dispozitat ligjore që parashikon ligji “Antimafia” ;

2.  Kontrolli efikas i territorit, nëpërmjet angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor të qeverisjes.

3.    Krijimi i hartave të sipërfaqeve të tokave, të pyjeve e kullotave, ku janë kultivuar, ose potencialisht mund të kultivohen bimë narkotike. Për krijimin e këtyre hartave, të bazuara në evidencën historike të kultivimit dhe në mundësitë që lidhen më klimën, gjeografinë dhe përbërjen e tokës, do të angazhohen strukturat përgjegjëse të bujqësisë, të mjedisit, të autoriteteve vendore, të inteligjencës dhe të policisë.

4.  Forcimi i kontrollit kufitar për parandalimin dhe goditjen e trafikimit ndërkombëtar të drogave.

5.  Përfshirja e gjerë e publikut në procesin e informimit kundër kultivimit të bimëve narkotike nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe krijimi i mundësive praktike për sigurimin e informacionit nga qytetarët.

6.    Shkurajimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet zbatimit të kombinuar të masave shtrënguese ligjore, krijimit të hapësirave për veprimtari të ligjshme dhe realizimit të programeve të nevojshme sociale.

7.   Diferencimi dhe proporcionaliteti i dënimeve penale në bazë të roleve të subjekteve në veprimtarinë kriminale.

8.    Forcimi i kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit e pajisjes së tyre me mjetet e nevojshme.

9.  Rishikimi i kritereve dhe përforcimi i kontrolleve ndaj integritetit dhe të personalitetit të zyrtarëve shtetërorë të ngarkuar me detyra në fushën e narkotikëve, të gjitha niveleve, me qëllim verifikimin e plotë të gjithë zyrtarëve të angazhuar kundër fenomenit. Analiza e sukseseve dhe e problemeve të evidentuara gjatë ushtrimit të detyrës, pasuria, lidhjet eventuale me persona të inkriminuar, kapacitetet profesionale, familjarizimi me gjendjen problematike janë kritere ku do të bazohet kontrolli.

10. Angazhimi i drejtpërdrejtë i drejtorive të bujqësisë, të mjedisit dhe të pyjeve në qarqe për evidentimin e sipërfaqeve të mundshme për t’u mbjellë, të dyshuara  për një veprimtari të tillë apo të mbjella me bimë narkotike, si dhe raportimi në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen e sipërfaqeve që janë nën përgjegjësinë e tyre.

11.     Përmirësimi dhe fuqizimi i kapaciteteve, si dhe ngritja e një laboratori për analizën e përmbajtjes së cannabidiolit, cannabionolit dhe tetrahidrocannabinolit (THC).

3.2. Goditja dhe shkatërrimi i rrjeteve të trafikimit
Goditja e vendosur dhe shkatërrimi i rrjeteve kriminale të përfshira në trafikimin e lëndëve narkotike është objektivi më i rëndësishëm strategjik i këtij plani.

Ky objektiv përbën dhe  gurin themeltar të luftës kundër kanabisit. Përmbushja me sukses e tij ndikon në përmbushjen me sukses dhe të objektivave të tjerë. Nëpërmjet tij synohet që të shtohen dhe identifikohen masat shtrënguese dhe goditëse ligjore nga të gjitha drejtimet dhe në të gjitha nivelet.
Objektiva specifike për goditjen dhe shkatërrimin e trafikimit janë:

1.  Rritja e vigjilencës dhe shtimi i kapaciteteve të strukturave doganore, tatimore dhe bujqësore për një kontroll më rigoroz për parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike.

2.  Bashkëpunimi i hershëm i shërbimeve inteligjente dhe policore me strukturat homologe të vendeve të origjinës së farërave.

3.  Përmirësimi dhe intensifikimi i kontrollit kufitar nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse për kufirin, shtimit të kapaciteteve të skanimit, rishikimit të kritereve të përcaktimit të riskut dhe kontrollit elektronik e fizik.

4.  Përmirësimi i procedurave për kontrollin e qarkullimit të parasë në pikat kufitare.

5.  Vlerësimi ndërinstitucional i riskut për mjetet e transportit në pikat kufitare, nëpërmjet përfshirjes në këtë proces të të gjithë aktorëve shtetërorë përgjegjës. Përfshirja e strukturave doganore, tatimore, policore, bujqësore, mjedisore, dhe atyre të inteligjencës në vlerësimin e riskut në transportin tokësor, detar dhe ajror ndërkombëtar si dhe shtimi i konsiderueshëm i kapaciteteve dhe i frekuencës së kontrolleve fizike dhe të skanimit.

6.  Rritja e kapaciteteve operacionale njerëzore, logjistike dhe financiare i të gjitha strukturave qendrore dhe vendore të angazhuara kundër kultivimit, përdorimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

7.  Shtimi i kapaciteteve njerëzore të strukturave të ngarkuara me kontrollin e territorit, nëpërmjet përforcimit dhe mbështetjes së kapaciteteve policore edhe nga strukturat ushtarake, të angazhuara në kontrollin e territorit në përputhje me përcaktimet përkatëse ligjore.

8.    Rritja e kapaciteteve teknike të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera kryesisht me automjete të kalueshmërisë të lartë, mjete zbulimi në distanca të largëta për ditën dhe natën.

9.  Angazhimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në fushën e inspektimit të tregut të farave dhe fidanëve për parandalimin e trafikimit të farërave.
10. Krijimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të specializuara të vëzhgimit satelitor ajror dhe detar për rritjen dhe përmirësimin e kontrollin e territorit.

11. Bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kontrollit kufitar dhe atij të territorit nëpërmjet zgjerimit të partneriteteve ekzistuese (marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe).

12.     Shtimi i përgjegjësisë  dhe i kapaciteteve të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare (SIVHD) për përmirësimin e monitorimit të hapësirës detare dhe shkëmbimin e informacionit.

2.3.  Reduktimi i përdorimit
Objektivi i tretë madhor kundër fenomenit të kanabisit mbetet reduktimi i përdorimit të tij kryesisht nëpërmjet programeve informuese, ndërgjegjësuese dhe edukuese duke shënjuar grupet më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni. Përgjigjja me masa konkrete ndaj shtimit të ofertës së drogave në shkolla, përbën një sfidë, jo vetëm për institucionet shtetërore, por edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare për të mbrojtur grup-moshat më delikate.

3.1. Informimi dhe komunikimi
Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut rreth rreziqeve, dëmeve dhe pasojave individuale, familjare dhe shoqërore që sjell indiferenca, apo përfshirja në veprimtaritë kriminale të përdorimit, kultivimit, apo trafikimit të lëndëve narkotike është një objektiv i rëndësishëm i këtij plani.

Përdorimi i kombinuar i mediave tradicionale dhe bashkëkohore në një proces të mirë-organizuar për informimin publik është një mjet i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e shoqërisë. Krahas përdorimit të mediave tradicionale, rëndësi të veçantë ka përdorimi i mediave bashkëkohore si mjete të përshtatshme për të përcjellë informacionin tek të rinjtë, me qëllim mbajtjen e tyre larg kultivimit, trafikimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Mediat të përdoren jo vetëm, si mjete për të përcjellë informacione të dobishme për informimin, ndërgjegjësimin dhe edukimin publik, por edhe për sigurimin e informacioneve nga qytetarët për goditjen e fenomenit.

Portale të dedikuara të ofrojnë informacione dhe programe edukimi kundër lëndëve narkotike, me qëllim që të rinjtë të gjejnë informacion të dobishëm për t’u mbrojtur nga efektet dhe pasojat e përdorimit të tyre.

Nëpërmjet mediave të inkurajohet angazhimi në fushatat e ndërgjegjësimit, të informimit dhe të edukimit i zërave të rëndësishëm publikë dhe i ekspertëve të edukimit, shëndetësisë, artit, sportit, policisë, etj.

Rritja e pranisë së policisë në rrjetet dhe mediat sociale është një masë e rëndësishme, përmes të cilës do të rriten mundësitë e komunikimit të saj me qytetarët dhe veçanërisht me të rinjtë.

3.2.  Bashkëpunimi dhe koordinimi
Në krye të përpjekjes shtetërore për parandalimin dhe goditjen e kultivimit, përdorimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është Komiteti Ndërministror (KN) me pjesëmarrjen e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

Misioni i këtij komiteti është miratimi i politikave dhe vendimeve të rëndësishme, përcaktimi i përparësive, akordimi i burimeve financiare dhe materiale, si dhe drejtimi i veprimtarisë së Task-Forcës Qendrore (TFQ).

TFQ është një strukturë operacionale në nivel qendror e cila koordinon, orienton dhe kontrollon veprimtarinë e strukturave qendrore dhe vendore të ngarkuara me zbatimin e këtij plani. TQF funksionon përgjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së këtij plani.

Detyrat e TFQ përfshijnë koordinimin operacional në nivel qendror, analizat e përbashkëta të gjendjes, matjen dhe vlerësimin e suksesit të strukturave të ngarkuara me zbatimit të këtij plani, si dhe mbështetjen e tyre me mjetet e nevojshme.

Në përbërje të TFQ janë përfaqësues të Policisë së Shtetit, të Prokurorisë, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, të Drejtorisë së Hetimit Doganor, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), të Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe të strukturave të tjera që kanë detyrime në kuadër të këtij plani.

Në nivel vendor ngrihen dhe funksionojnë Task-Forcat vendore (TFV) në përbërje të të cilave janë përfaqësues lokalë të institucioneve të përfaqësuar në TFQ, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të bashkive.

Krijimi i një fondi qeveritar për të financuar programet mbështetëse për banorët e zonave rurale të rrezikuara nga përfshirja në veprimtari të paligjshme, është instrumenti që mundëson jetësimin e objektivave të kësaj strategjie. Fondi të krijohet nga kontributi i qeverisë, i autoriteteve vendore dhe i donatorëve.

Objektivi A: Goditja dhe shkatërrimi i kultivimit të kanabisit
Masa A.1: Shënjimi dhe shkatërrimi i grupeve të krimit të organizuar të përfshira në prodhimin e kanabisit
Masa A.2: Shkurajimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në kultivimin e bimëve narkotike dhe nxitja e veprimtarive të ligjshme ekonomike
Masa A.3: Krijimi i një mekanizmi eficient për grumbullimin, përpunimin, analizimin dhe raportimin në çdo kohë të të dhënave
Masa A.4: Dhënia me qira e pronave publike për përdorim privat të ligjshëm
Masa A.5: Hartimi i hartave të sipërfaqeve potenciale dhe aktuale që janë mbjellë dhe mund të mbillen me kanabis
Masa A.6: Verifikimi i pastërtisë së figurës së funksionarëve publikë përgjegjës
Masa A.7: Goditja e kultivimit që në fazat e hershme të ciklit
Objektivi B: Goditja dhe shkatërrimi i trafikimit të kanabisit
Masa B.1: Parandalimi, identifikimi, zbulimi, dokumentimi, goditja dhe shkatërrimi i grupeve kriminale të trafikimit
Masa B.2: Përmirësimi i menaxhimit të kufijve
Masa B.3: Përmirësimi i kapaciteteve të mbikëqyrjes ajrore
Objektivi C: Goditja dhe reduktimi i përdorimit të kanabisit
Masa C.1: Përmirësimi i kapaciteteve të specializuara shëndetësore
Masa C.2: Përmirësimi i  informacionit rreth kanabisit duke përditësuar kurrikulat e arsimit para-universitar
Masa C.3: Krijimi, sigurimi dhe përmirësimi i shërbimeve të ofruara nga interneti
Masa C.4: Reduktimi i kërkesës së brendshme
Objektivi D: Informimi dhe komunikimi
Masa D.1: Intensifikimi dhe rritja e numrit të fushatave mediatike
Masa D.2: Inkurajimi dhe mbështetja për pjesëmarrjen e ekspertëve në debatet televizive
Masa D.3.: Zgjerimi i përdorimit të aplikacionit “Komisariati Dixhital”
Masa D.4.: Intensifikimi i takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve në luftën kundër kanabisit
Objektivi E: Bashkëpunimi dhe koordinimi
Masa E.1: Krijimi i Komitetit Ndërministror (KN) dhe i Task-Forcës Qendrore
Masa E.2: Krijimi i Task-Forcave në nivel vendor
Masa E.3: Inkurajimi i publikut dhe krijimi i mundësive për mbledhjen e informacionit nga sinjalizuesit
Masa E.4: Forcimi i kapaciteteve njerëzore/financiare/ operative/teknike

Masa ekonomike lehtesuese per zonat e riskuara
1. Të ndërgjegjësohen qytetarët për pasojat ligjore për përfshirjen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.
2. Të nxitet vetëpunësimi, përmes lehtësimit të skemave të financimit dhe krijimit të alternativave të ligjshme të punësimit për qytetarët me risk.
3. Të realizohet shtrirja e programeve të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, në zonat e rriskuara, duke synuar mbështetje ekonomike për familjet, që nuk mund të angazhohen në programet e vetëpunësimit.
4. Të realizohet shtrirja e programeve të strehimit edhe në zona rurale, duke synuar mbështetjen e familjeve në pamundësi absolute për të zgjidhur vetë çështjen e strehimit.
5. Të mbulohen shpenzimet për shkollim dhe strehim të fëmijëve të familjeve në nevojë, të zonave të thella malore dhe rurale duke synuar shkollimin e përshtatshëm të tyre në qendra urbane.
6. Të ofrohen tekste shkollore falas për fëmijët e familjeve në nevojë, në zonat e identifikuara si problematike, duke iu mundësuar këtyre fëmijëve frekuentimin e shkollës.
7. Të adaptohen programe të trajnimit profesional për banorët e zonave me risk, me qëllim rritjen e mundësive të punësimit dhe të vetëpunësimit për të rinjtë dhe gratë.
8. Të krijohen lehtësira fiskale, të hiqen disa taksa të papërshtatshme dhe të falen detyrimet e prapambetura nga taksat mbi tokën, për banorët e zonave me risk.
9. Të riorientohen programet e mbështetjes bujqësore drejt fermerëve të rriskuar duke synuar mbështetjen e tyre financiare. Në kuadër të këtyre programeve të posaçme, çdo vit të vihen në dispozicion të kësaj kategorie rreth 10% e buxhetit të parashikuar për mbështetjen e prodhimit bujqësor.
10. Të zhvillohen programe për të motivuar, nxitur dhe mbështetur kultivimin e bimëve mjekësore, apo të kulturave të tjera të ligjshme bujqësore, prej të cilave sigurohen po aq përfitime sa nga kultivimi.
11. Të nxiten dhe mbështeten studime shkencore për të gjetur rrugë të reja të zhvillimit bujqësor (zëvendësimi i produkteve) duke inkuadruar, angazhuar universitetet, United Nations Office on Drugs and Crime (UNODC).
12. Të zhvillohen projekte/programe të reja për blegtorinë.
13. Të përfshihen me prioritet, në programet e posaçme të nxitjes së punësimit, grupet e rriskuara për përfshirjen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit, siç janë personat me aftësi të kufizuar, jetimët, gratë kryefamiljare, të rinjtë, pjesëtarë të komuniteteve të margjinalizuara, etj..
14. Të krijohet një fond i posaçëm në buxhetin e shtetit, i cili alokon mjetet e nevojshme financiare nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe kontributeve të partnerëve ndërkombëtarë e donatorëve.

Plan financimi dhe punësimi për “punëtorët e hashashit”
Strategjia anti-kanabis, përpos të tjerave, parashikon marrjen e disa masave, për të mbrojtur familjet e ekspozuara, të cilat për shkak të kushteve të vështira ekonomike, mund të punësohen nga bosët e drogës në plantacionet e kanabisit.

Plani parashikon një skemë financimi për të punësuar kategoritë që mund të marrin ‘oferta pune’ nga kultivuesit. Po ashtu, parashikohet ndihmë ekonomike për familjet në nevojë, në zonat e rriskuara, duke synuar mbështetje financiare për familjet, që nuk mund të angazhohen në programet e vetëpunësimit.

Gjithashtu, strategjia parashikon programe strehimi në zona rurale, duke synuar mbështetjen e familjeve në pamundësi absolute për të zgjidhur vetë çështjen e strehimit. Do të mbulohen edhe shpenzimet për shkollim dhe strehim të fëmijëve të familjeve në nevojë. Strategjia parashikon tekste shkollore falas për fëmijët e familjeve në nevojë, heqje të disa taksave, trajnim profesional etj.

Peleshi: Plani i jep fund kanabisit
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në një konferencë për mediat, tha se plani i qeverisë do t’i japë fund fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri.

Peleshi sqaroi se ky plan është finalizimi i një procesi të iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe i mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. “Plani parashikon masa serioze ndaj të gjithë zyrtarëve të nivelit qendror dhe lokal, të cilët nuk arrijnë të mbajnë në administrim e kontroll efektiv territorin për të cilin janë përgjegjës.

Po ashtu, një proces vlerësimi dhe Vetingu ndaj zyrtarëve me përgjegjësi në këtë fushë do të shoqërojë procesin e zbatimit të planit. Identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga veprimtaritë kriminale është një kriter i rëndësishëm për të matur shkallën e suksesit në përballjen me fenomenin e kanabisit”, tha Peleshi.

Zëvendëskryeministri shtoi se paketa e masave synon ndërgjegjësimin publik, nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë ekonomike të ligjshme në zonat dhe komunitetet e prekura, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk.

Leave a Reply

Your email address will not be published.