Pse po vetëvriten punëtorët e KEDS’it ?

Pse po vetëvriten punëtorët e KEDS’it ?

Për një periudhë të shkurtër kohore dy punëtorë të KEDS-it kanë tentuar të vetëvriten në mënyra të ndryshme në vendin e tyre të punës.Rasti i parë kishte ndodhur në vitin 2016, kur një punëtor i Mitrovicës kishte tentuar të hidhet nga ndërtesa e KEDS-it në Prishtinë . Ndërsa gjatë muajit mars të këtij viti, një tjetër punëtor në Pejë, ka tentuar të vetëvritet, duke rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Sindikata e Punëtorëve të KEDS-it, e sheh shqetësuese tentim vetëvrasjen e punëtorëve.

Hysni Gashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të KEDS-it, thotë se këto po ndodhin si pasojë e presionit në punë.

Ai thotë se asnjë punëtor në këtë kompani nuk merr vërejtje në punë por siç ka thënë, drejtpërsëdrejti kërcënohen me largim nga puna.

“Punëtorëve iu bëhet presione  të ndryshme. Presioni është që secili koordinator i kërcënon punëtorët me largim nga puna për më të voglin detaj. Çdo veprim, kartelën nëse nuk e vendos si duhet kërcënohen për largim nga puna. Për kartel dënohet, e jo largohet. Asnjë vërejtje tjetër nuk iu bëhet punëtorëve, vetëm hapi i parë është kërcënimi: ju largojmë nga puna”, ka thënë Gashi për Arbresh.info.

Ai përmend edhe rastin e largimit të 95 punëtorëve nga puna e të cilët sipas tij, janë në gjendje të rëndë psikike.

“Këto kanë ndodhur për shkak të presionit në punë. Punëtorët që kanë mbetur pa punë shumica prej tyre janë në situatë të rëndë psikike, sa herë shkojnë në kontroll te mjeku, ua preferon një kontroll te neuropsikiatri”.

Gashi thotë se rastin e parë që një punëtor i KEDS-it ka tentuar të bëjë vetëvrasje e ka lajmëruar në Inspektorat të Punës, ndërsa rastin e dytë jo.

“Rastin e parë që ka dashur të hidhet nga ndërtesa e KEDS-it është lajmëruar në Inspektorat, por rastin e dytë që ka ndodhur në Pejë ku një punëtor ka tentuar të vetëvritet nuk e kemi lajmëruar, për një arsye sepse e ka tërhequr një shkresë që e ka bërë”, thotë Gashi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala thotë se përderisa rastet janë tek organet e hetuesisë nuk japin deklarata.

“Te nderuar, pasi këto raste janë subjekt i hetimeve nga Policia e Kosovës ne ju lusim që t’i drejtoheni këtij institucioni për informatat që kërkoni”, thotë Buzhala për Abresh.info.

E kryeshefi i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, thotë se nuk janë në kompetencë të Inspekoratit çështjet e tentim vetëvrasjeve që po ndodhin tek punëtorët e KEDS-it.

“Nuk është kjo çështje e Inspektoratit të punës se pse ata donë me bo vetëvrasje ka organe tjera dhe nuk është punë e Inspektoratit të punës “, tha Ibrahimi.

Arbresh.info ka kontaktuar me policinë por këta të fundit nuk kanë dhënë detaje për këto raste.

KEDS, ne tetor të vitit të kaluar kishte larguar mbi 100 punëtorë nga puna, ani pse kishin pasur kontrata të rregullta. Ndërsa ka pasur protesta të shumta për këtë çështje.

Kujtojmë se në kohën e privatizimit të kësaj kompanie, Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik atë kohë, kishte premtuar që asnjë punëtor me kontrata të rregullta nuk do të largohej nga puna.

Leave a Reply

Your email address will not be published.